Monday, July 8, 2013

Roela Kaso, Vajza Që “Sfidon” Supermodelen Cara Delevigne

Roela Kaso, lajm-shqipRoela Kaso thyen mitin! shqiptarja e parë dhe e vetme, që listohet në të njëjtën agjenci në Milano, me dy ikonat e modës Cara Delevigne dhe Su Hue. Adoleshentja shqiptare rrëfen në këtë intervistë për “Bluetooth” rrugëtimin e saj në botën e modës.
Si nisi modelingu për ju?Më kanë zbuluar prej një viti në dyert e gjimnazit tim, teksa po largohesha nga shkolla. Më afrohet një vajzë dhe më prezantohet si pjesë e agjencisë “Bindi Model Management”. Të jem e sinqertë, kam qenë një vajzë që modelingun nuk e ka pasur asnjëherë hobi dhe gjithnjë skeptike në lidhje me industrinë e modës. Për mirësjellje ndaj insistimit të vajzës i lashë numrin tim, duke i komunikuar që do të kishim një takim bashkë me prindërit dhe me pronarët e agjencisë. Ajo ditë erdhi të nesërmen dhe unë dëgjoja e pavëmendshme prezantimin e agjencisë me bindje dhe padurim që sapo të mbaronte takimi të largohesha. Pas shumë kohësh insistim nga agjencia dhe me nisjen e seteve të para fotografike, çdo gjë ndryshoi për mua. Modelingu ishte një zbulim i paimagjinueshëm!
Si reaguan prindërit në lidhje me këtë?Unë vij nga një familje e rregullt, me principe dhe jo shumë mendjehapur apo moderne. Sigurisht ishin të trembur për vajzën e tyre 17-vjeçare, por pasi dëgjuan dhe panë punët e agjencisë, çuditërisht ata ishin shtysa e parë për një përgjigje pozitive dhe unë isha përgjigjja mohuese ndaj modelingut. E kuptoj, duket një ironi e fatit, por e tillë ishte.
Si ishte eksperienca juaj e parë?Eksperienca ime e parë ishte prezantimi nga një ndër agjencitë më të mira në Milano, ‘FASHION’ në sajë të agjencisë sime mëmë ‘BINDI MODEL MANAGEMENT’. Kjo është një mundësi që nuk u jepet dot shumë modeleve, edhe pas shumë vitesh eksperiencë në modeling.
Si e përjetuat ju këtë eksperiencë?Për mua ishte hera e parë që udhëtoja në një metropol dhe m’u desh të përballesha me një ndër qytetet më kompetitive në industrinë e modës. Mbaj mend që jam larguar me lot nga prindërit, por në Milano kam përjetuar me gëzim çdo sekondë të qëndrimit aty.
A mund të na sillni disa detaje nga jeta e një modeleje në Milano?Unë e nisja mëngjesin me një hartë në dorë. Çdo mëngjes paraqitesha në agjenci, që më listonin vendet ku duhej të shkoja për casting (përzgjedhje). Në një casting të duhej të prisje shpesh edhe tri orë, pasi bëhej një radhë e gjatë prej 400 apo 500 vajzash. Qëllonte që mund të kishe 7 casting në ditë dhe me këtë ritëm nuk mund t’i kapje të gjithë, ndaj më duhej të bëja një listë me klientët që kishin prioritet. Ditët që isha më e lirë dhe nuk kisha shooting për katalogje, revista apo reklama jam munduar të vizitoj qytetin apo konsumoj një drekë me miket e reja të njohura atje. Mund të them që jeta e një modeleje është shumë aktive dhe aspak monotone.
Jeni në të njëjtën agjenci në Milano me një nga ikonat më të përfolura të modës aktualisht, Cara Delevigne… A e keni takuar nga afër?Po, e di. Delevigne ka realizuar fushata për branded më të mëdha në botë. Kam parë që është një mit edhe për vajzat shqiptare. Ne kemi rastisur bashkë në disa casting, duke qenë edhe pjesë e një agjencie. Ajo është një vajzë e imët në trup, më e shkurtër se unë, por një tip i veçantë dhe shumë ekspresiv.
Cilat janë përmasat tuaja?Gjatësia 176, Gjoksi 86, beli 55 dhe vithet 85.
Mbani ndonjë regjim që ruani këto linja?Në fakt e kam gjenetike. Unë ha rregullisht dhe ha çdo gjë. Në momentin që shoh që ndryshoj një centimetër, edhe me këshillën e agjencisë, filloj ushtrimet fizike dhe mundohem të mos kem asnjë luhatje në peshë. Nuk konsumoj duhan, alkool apo të abuzoj me jetën e natës. Kjo më ka ndihmuar edhe në Milano. Kur më takojnë, mendojnë se jam 14 dhe jo 18.
Cila është këshilla që u jepni vajzave shqiptare që duan të bëhen pjesë e botës së modës?Modelingun duhet ta shohin si një profesion që kërkon shumë disiplinë për të arritur lart. Duhet të jenë modeste, pasi në botë ekziston një konkurrencë e paimagjinueshme për dikë që nuk ka udhëtuar dhe sigurisht, të kenë kujdes cila agjenci i përfaqëson dhe ku i prezanton.
Cilat janë planet për të ardhmen?Unë sapo mbarova gjimnazin. Pas eksperiencës sime në Milano, vendosa me vullnet e dëshirë të plotë t’i dedikohem modelingut një vit me kohë të plotë nëpër shtete të ndryshme të botës sipas planit të agjencisë sime mëmë ‘BINDI MODEL MANAGEMENT’