Monday, July 8, 2013

Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë

Pesë personat, të cilët janë plagosur mbrëmë në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë ende duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Qendrës Emergjente, Basari Lenjani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
“Të gjithë të lënduarit nuk kanë treguar shenja të rrezikshmërisë për jetën. Pas ndërhyrjeve kirurgjike, analizave laboratorike, radiologjike dhe konsulencës, dy nga personat janë vendosur për trajtim të mëtutjeshëm në Kliniken e Ortopedisë, ndërsa njëri prej tyre është vendosur në Kliniken e Kirurgjisë Torakale për shkak të lëndimeve. Dy të lënduar të tjerë janë duke qëndruar në kliniken tonë”, ka thënë Lenjani.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin e shkëmbimit të zjarrit në pikën kufitare me Serbinë.
Në një komunikatë për media, policia ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me këtë rast dhe se janë duke u kryer hetime lidhur me personat e involvuar në këtë shkëmbim zjarri.

****
Plagosen katër shqiptarë në kufi me Serbinë

Së paku katër shqiptarë janë plagosur të dielën mbrëma në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas mediave në Beograd, atje ka pasur shkëmbim zjarri me përfaqësuesit e xhandarmërisë serbe, derisa shqiptarët kanë qenë duke prerë drunj ilegalisht, raporton rel.
Mediat në Prishtinë thonë se Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura.